Martesa nuk është për ty!

posted in: Uncategorized | 0

 

Kohët e fundit, pas një vit e gjysmë martese, kam arritur në përfundimin se martesa nuk është për ty.

Vazhdoni leximin, para se të supozoni. E takova gruan time në shkollë të mesme kur ishim 15 vjeç. Kishim qenë miq për dhjetë vjet, derisa … derisa vendosëm që nuk donim të ishim më thjesht miq. Rekomandoj fuqishëm që miqtë më të mirë të bien në dashuri me njëri-tjetrin. Do kalojnë kohë të bukur.

Megjithatë, të rënit në dashuri me miken time më të mirë nuk më ndaloi të kisha frikë dhe ankth për martesën. Sa më shumë unë dhe Kim i afroheshim vendimit për t’u martuar, më shumë mbushesha me një frikë paralizuese. Isha gati? A po bëja zgjedhjen e duhur? Ishte Kim personi i duhur për t’u martuar? A do më bënte të lumtur?

Pastaj një natë vendimtare, ndava mendimet dhe shqetësimet me tim atë.

Ndoshta të gjithë kemi momente në jetën tonë kur ndiejmë se koha po ngadalëson ose ajri s’lëviz dhe gjithçka rreth e rrotull afrohet, duke shënuar kështu momentin që kurrë nuk do ta harrojmë.

Përgjigja e babait ndaj shqetësimit tim ishte një moment i rëndësishëm për mua. Me një buzëqeshje që tregonte se e dinte tha: “Seth, po tregohesh krejt egoist. Unë do të të lehtësoj tërësisht: Martesa nuk është për ty! Nuk martohesh që të bësh veten të lumtur, martohesh që të bësh të lumtur dikë tjetër! Më tepër se kaq, martesa nuk është për ty, martohesh për familje! Jo thjesht për vjehërrin e vjehërrën dhe gjithë zakonet pa kuptim, por për fëmijët e tu të ardhshëm. Cilën do të doje të të ndihmonte për të rritur fëmijët e tu? Cilën do të doje të ndikonte tek ata? Martesa nuk është për ty! Nuk është për personin tënd! Martesa është për personit me të cilin/ën po martohesh!”.

Në këtë moment e dija se Kim ishte personi i duhur me të cilën mund të martohesha. Kuptova se doja ta bëja atë të lumtur, ta shihja të qeshte e të buzëqeshte çdo ditë. Doja të isha pjesë e familjes së saj dhe familja ime donte që ajo të ishte pjesë jona. Duke sjellë ndërmend rastet kur e kisha parë të luante me mbesat e mia, e dija që ajo ishte personi me të cilin doja të ndërtoja familjen tonë.

Këshilla e tim eti ishte shokuese dhe befasuese. Ishte kundër parimeve të filozofisë së jetës së sotme, që thotë se nëse nuk të bën të lumtur, lëre dhe merr një tjetër.

Jo! Një martesë (dhe dashuri e vërtetë) nuk është asnjëherë për ty. Është për personin që ti dashuron, për dëshirat, nevojat, shpresat, dhe ëndrrat e tij. Egoizmi pyet: “Çfarë fitoj unë?” ndërsa dashuria thotë: “Çfarë mund të jap?”.

Para disa kohësh, ime shoqe më tregoi se ç’do të thotë të duash me vetmohim. Për shumë muaj, zemra më ishte forcuar me një përzierje frikërash dhe fyerjesh. Pastaj, pasi tensioni ishte rritur në pikën që asnjëri prej nesh nuk mund ta duronte më, emocionet shpërthyen. Unë isha i pashpirt. U tregova egoist.

Por Kim, në vend që të tregohej po aq egoiste sa unë, bëri diçka që ishte edhe më e bukur. Ajo tregoi një dashuri të pamasë. Vendosi mënjanë dhimbjen dhe vuajtjen që i kisha shkaktuar dhe me dashuri më mori në krahët e saj e më qetësoi shpirtin.

 

Kuptova se kisha harruar këshillën e tim eti. Ndërsa për Kimin martesa ishte të më donte, për mua martesa ishte kthyer gjithçka rreth meje. Ky realizim i tmerrshëm më bëri të qaj, dhe i premtova time shoqeje se do të përpiqesha të isha më i mirë.

Për të gjithë ata që po lexojnë këtë artikull, të martuar ose pranë martese, beqar ose beqar/e të betuar, dëshiroj ta dini mirë që martesa nuk është për ty. Asnjë marrëdhënie e vërtetë dashurie nuk është për ty. Dashuria është për personin që dashuron!

Dhe në mënyrë paradoksale, sa më shumë ta dashurosh me të vërtetë personin tjetër, më tepër dashuri merr. Dhe jo vetëm nga ky person i rëndësishëm për ty, por dhe nga miqtë dhe familjet e tyre dhe mijëra të tjerë të cilët nuk do t’i kishe takuar nëse dashuria jote do të ishte egoiste.

Dashuria dhe martesa e vërtetë nuk është për ty! Është për tjetrin!

Seth Smith

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *