DASHURIA dhe RESPEKTI

posted in: martesa | 0

10 Mënyra për t’i treguar respekt bashkëshortit tënd

1. Dëgjoje
Të të dëgjojnë me të vërtetë është dëshira e çdo zemre njerëzore, dhe gruaja jote nuk përjashtohet nga kjo. Duket e thjeshtë, por duke pasur parasysh shpërqendrimet e shumta rreth dhe brenda nesh, të dëgjuarit mund të jetë më e vështirë sesa duket. Cakto çdo ditë një kohë kur të ulesh e ta shikosh gruan tënde në sy dhe ta dëgjosh me të vërtetë atë që ajo ka për të thënë. Ndoshta do të befasohesh me ato që do të dëgjosh. Jak.1:19, Mt.11:15

2. Komuniko
Mos e bëj atë të hamendësojë çfarë po mendon apo po ndien ti.

3. Vendosi rrobat e tua të palara në koshin e rrobave të palara
Me siguri koshi është vetëm disa hapa më larg vendit ku i hedh zakonisht. Bëje këtë një zakon, dhe kjo do t’i bëjë të ditur gruas sate që  ti nuk e konsideron si shërbëtoren tënde personale.

4. Fike televizorin
Lëri mënjanë lojrat kompjuterike, fute në xhep iPhone-in, dhe fike kompjuterin. Është e habitshme sa shumë orë harxhojmë me sy të ngulitur në ndonjë lloj ekrani, në vend që të komunikojmë me njerëzit real në jetën tonë. Në mënyrë të ndërgjegjshme vendos kufij për kohën që harxhon para televizorit, çfarëdo forme që të ketë. Përkundrazi, përdore këtë kohë për të investuar në martesën tënde: bëj një shëtitje me bashkëshorten tënde ose luani së bashku një lojë. Ps.90:12

5. Praktiko drejtimin shërbyes
Të gjitha organizatat kanë hierarki. Është e pamundur të funksionosh pa një të tillë, por të jesh drejtues nuk do të thotë që je diktator. Modeli më i mirë për këtë rol është Jisu Krishti, jo Josef Stalini. Jisui i lau këmbët dishepujve dhe më pas vdiq për ta. Është sfidë të ushtrosh autoritetin duke ruajtur në të njëjtën kohë një shpirt të përulur, por kjo është ajo që kërkohet nga drejtuesi i perëndishëm. Mt.20:28; Fil.2:1-8; Mk.9:35

6. Kujto që intimiteti është rrugë dykalimshe
Fatkeqësisht, burrat janë shumë egoistë në dhomën e gjumit, dhe habiten kur gratë nuk janë aq entuziaste në këtë fushë. Bëje këtë pjesë  të marrëdhënies sate po aq të kënaqshme për të sa është dhe për ty, dhe ka për të t’u shpërblyer mundi. Kjo mund të nënkuptojë larjen e enëve apo të ndihmuarit me fëmijët, me qëllim që ajo të ketë ende energji në fund të ditës. Mund të nënkuptojë përkëdhelje dhe qirinj të ndezur, me qëllim që ajo të relaksohet dhe të largojë nga mendja shqetësimet. Nëse nuk je i sigurt kur të fillosh, pyete dhe dëgjoje. 1 Kor.7:3

7. Ji i kujdesshëm në miqësitë me femra të tjera
Të gjithë kemi miq dhe kolegë të gjinisë tjetër, por hidhi hapat me kujdes. Jo të gjitha lidhjet janë fizike. Të nderosh premtimet e tua martesore do të thotë të qëndrosh besnik në mendime dhe fjalë po ashtu si në veprime. Mt. 5:27-28

8. Kujdesu me dashuri për fëmijët e saj
Lidhja e një nëne me fëmijët e saj është mjaft e thellë. Kur ti investon kohë dhe energji për ta, në të njëjtën kohë po investon edhe për të. Mirësia ndaj fëmijëve është mirësi ndaj saj. Malahia 4:6

9. Vendose atë përpara pasioneve dhe shokëve
Padyshim që do të vijnë momente në marrëdhënien tënde kur ti do të jesh i detyruar të zgjedhësh midis gruas dhe diçkaje tjetër që të pëlqen. Zgjidh gjithmonë gruan!

10. Shprehe dashurinë me fjalë
Ka shumë mënyra për ta shprehur dashurinë, por grave u pëlqen më shumë ta dëgjojnë të thuhet.

 

10 Mënyra për t’i treguar respekt bashkëshortit tënd

1. Zgjidh gëzimin
Është e vërtetë: Një grua e lumtur të bën të lumtur. Kujdes, mos e përdor humorin e keq si përpjekje për të ndryshuar burrin tënd, por në çdo gjë gëzohu, sepse kjo është gjëja e duhur për t’u bërë. 1 Thes.5:16; Fil.4:4

2. Kushtoji vëmendjen tënde të plotë
Po, unë e di që gratë janë mjeshtre për të bërë shumë gjëra njëkohësisht, por kur bashkëshorti është duke folur me ty, lëri mënjanë gjërat e tjera, shikoje në sy, dhe dëgjo atë që ai po thotë, me qëllimin për të kuptuar dhe për të mbajtur mend fjalët e tij.

3. Vëri në dukje cilësitë e tij të forta
Sigurisht, ai ka të metat e tij (siç ke dhe ti të tuat), por të përqendrohesh tek ato, vetëm sa do t’ju bëjë ju (të dyve) të ndiheni shumë keq. Përkundrazi, përqendrohu në ato cilësi të bashkëshortit tënd që ti i admiron më shumë. Fil.4:8

4. Falëndero
Kultivo qëndrim mirënjohjeje. Mos e merr për të mirëqenë bashkëshortin tënd. Vlerëso çdo gjë që ai bën për ty, sado e madhe apo e vogël të jetë. Thuaj gjithmonë faleminderit. 1 Thes.5:18; Ef.5:20

5. Përgjigju fizikisht
A e di që mënyra sesi reagon (ose nuk reagon) ndaj iniciativave romantike që ndërmerr bashkëshorti yt ka një ndikim të thellë në vetësigurinë e tij? Mos e shty tutje kur ai përpiqet të të përqafojë ose mos nxirr justifikime kur ai ka dëshirë për marrëdhënie. Bashkëpunimi dhe ndërveprimi yt entuziast , jo vetëm që do t’i japë siguri për dashurinë tënde, por do ta bëjë të ndihet edhe shumë i respektuar. 1 Kor. 7:3-5

6. Mbaji sytë tek ai
Mos e krahaso bashkëshortin tënd në mënyrë të pahijshme me burra të tjerë, të vërtetë apo imagjinarë. Nuk është as e drejtë dhe as e respektueshme dhe do të sjellë vetëm telashe dhe pakënaqësi. Hiq dorë nga të parit filma  ose të lexuarit e librave që mund të shkaktojnë pengesa në këtë drejtim.  Ps.19:14; Fj.Urt.4:23

7. Mos u anko
Askush nuk dëshiron të qëndrojë pranë një personi negativ apo që vetëm ankohet. Është acarim nervash. Kujto lutjen për paqen: prano gjërat që s’mund t’i ndryshosh; me kurajë ndrysho gjërat që mundesh; kërko urtësi për kuptuar dallimin midis tyre. Fil.2:14

8. Admiroje
Komplimentet e shprehura dhe lavdërimet e përzemërta mirëpriten gjithmonë, por duhet ta bësh zakon që edhe ta vështrosh bashkëshortin tënd me respekt dhe vlerësim. Ki mendime të mira për të. Ai ka për ta dalluar admirimin në sytë e tu. Luk.6:45

9. Ruaje emrin e tij
Nderoje bashkëshortin tënd kur flet për të me familjen dhe miqtë. Ruaje reputacionin e tij dhe mos lejo që mosmarrëveshje të vogla në shtëpi të të bëjnë të flasësh keq për të në publik. Jeto në mënyrë të tillë, që të bëhet e dukshme për të tjerët pse bashkëshorti yt të zgjodhi ty për t’u martuar me të. Fj.Urt.12:4; 22:1

10. Ndiq drejtimin e tij
Nëse dëshiron që bashkëshorti yt të të drejtojë, ti duhet të jesh e gatshme për ta ndjekur. As trupi e as familja nuk mund të funksionojnë me dy koka. Mësohu t’i nënshtrohesh dëshirave të bashkëshortit dhe lëri në dorë të tij vendimet përfundimtare.  Ef. 5:22-24

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *