A e dini gjuhën e dashurisë?

posted in: Uncategorized | 0

 Gjuha është një tipar i veçantë i qenieve njerëzore që i lejon ata të komunikojnë midis tyre informacion të ndërlikuar. Megjithatë, që të ndodhë komunikimi, gjuha duhet të jetë e përbashkët për individët që përpiqen të komunikojnë. Kur erdha në Shqipëri, 16 vjet më parë, kalova shumë orë duke mësuar shqip. Megjithëse shumë shqiptar flasin dhe kuptojnë disa gjuhë, përfshi këtu edhe anglishten, e dija që aftësia për t’u lidhur me zemrat e njerëzve do të ishte shumë e kufizuar, nëse nuk do të mësoja gjuhën parësore të shumicës së njerëzve në Shqipëri.

 Thuhet se “gjithçka që na duhet është dashuria”, dhe shpesh flitet për dashurinë si gjuhë ndërkombëtarë që mund të komunikojë midis çdo gjuhe apo barriere kulturore. Në një farë kuptimi kjo është e vërtetë, por është e rëndësishme të kuptojmë se dashuria nuk është një gjuhë e vetme. Në fakt, ata që studiojnë këtë temë kanë identifikuar pesë gjuhë të veçanta dashurie. Ashtu si nuk mund të kuptoj dhe të kuptohem prej dikujt që di vetëm kinezçe, dhe njerëzit që përdorin gjuhë të ndryshme dashurie shpesh dështojnë të shprehin dashuri edhe kur kanë shumë dëshirë për ta bërë një gjë të tillë. Rezultatet mund të jenë shkatërruese! Për këtë arsye duhet të mësojmë të shprehim dashurinë duke përdorur gjuhën e dashurisë së personave tonë më të afërt.

Më lejoni të shpjegoj pak më tepër se çfarë janë këto gjuhë të dashurisë. Bazuar në karakteristikat tona natyrore dhe në përvojën tone, secili prej nesh ka mënyra në të cilat ndien dhe shpreh dashuri. Pesë gjuhët bazë të dashurisë, siç janë identifikuar prej autorit më të shitur Dr. Geri Çepman janë: fjalët përgëzuese, koha cilësore, dhuratat, veprat e shërbimit dhe prekja fizike. Megjithëse ne të gjithë mund të jemi në gjendje të tregojmë dhe marrim dashuri duke i përdorur të gjitha këto, kemi një ose dy që janë “gjuha mëmë”. Pyetni veten: “Si ia shpreh dashurinë dikujt tjetër në mënyrë të natyrshme?”; “Për çfarë ankohem më shpesh?”; “Çfarë kërkoj më shpesh?”.

Ashtu sikurse thotë dhe Dr. Çepman në librin e tij, shumë çifte të martuara e gjejnë veten në luftë dhe ndihen të padashur në martesat e tyre, jo sepse mungon dashuria, por sepse ata nuk dinë si të shprehin dhe marrin dashuri në gjuhën e dashurisë së partnerit të tyre. Për shembull, një burrë gjuha parësore e dashurisë së të cilit është dhënia e dhuratave mund të punojë orë shtesë në punë që të fitoj para për t’i bërë një dhuratë të veçantë gruas. Nga ana tjetër, gruaja e tij mund të ndihet e lënduar dhe e padashur, nëse gjuha parësore e dashurisë për të është koha cilësore. Ajo nuk e sheh dashurinë e shprehur përmes dhuratës, por përkundrazi ndien mungesë dashurie, sepse i shoqi nuk po kalon kohë me të. Në të njëjtën kohë, i shoqi mund të ndihet i lënduar dhe i padashur, sepse bashkëshortja e tij nuk vlerëson dhuratën për të cilën ai punoi aq shumë për t’ia dhënë. Të kuptuarit e gjuhëve të dashurisë do ta lejojë gruan të ndiejë dashurinë e shprehur përmes dhuratës, por do të ndihmojë edhe burrin të kuptojë se përveç dhuratës ai duhet të kalojë kohë cilësore me bashkëshorten, që të flasë gjuhën e saj të dashurisë.

Për këtë arsye është shumë e rëndësishme të jemi nxënës të përkushtuar dhe entuziastë të gjuhëve të dashurisë, që të bëhemi ekspertë për të treguar dhe për të marrë dashuri. Edhe pse të gjithë e kuptojmë se që të mësosh një gjuhë të huaj kërkon përkushtim dhe shumë punë, shpesh në martesë nuk e kuptojmë se kemi nevojë të punojmë po aq shumë për të njohur me themel gjuhën e dashurisë së personit që kemi zgjedhur për të dashur për pjesën e mbetur të jetës. Pas shumë vjetësh jam ende duke punuar për të përmirësuar njohurinë time të shqipes, po ashtu edhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të shprehur dhe kuptuar dashurinë në martesë. Ndërsa bëni këtë, prisni që dashuria që ekziston në martesën tuaj të rritet dhe lulëzojë!

Shikoni “Testi i gjuhës së dashurisë”  për të zbuluar se çfarë gjuhe dashurie flisni ju dhe bashkëshorti/tja juaj.

Pyetsori per grate

Pyetsori per burrat

 

 

 

Leave a Reply