Saimir dhe Kela Braho: Sekretet e të qenët një.

posted in: martesa | 0

Saimir dhe Enkela Braho janë dy figura të njohura për pub­likun artdashës.

Ai njihet si këngëtari i ish-grupit “Ritfolk”, por që tashmë  është këngëtari i njohur i skenave shqiptare, fitues  i disa

çmimeve në festivale. Ai gjithashtu është regjisor në Qendrën Kulturore të Forcave të Armatosura dhe jo pak herë është ngjitur

në skenën e teatrit si aktor. Enkela punon si pedagoge në degën e regjizurës në Akademinë e Arteve në Tiranë; e ka shumë pasion aktrimin dhe jo pak herë ka interpretuar së bashku me bashkëshortin e saj.

Saimir dhe Enkela mbahen mend kur të dy bashkë morën pjesë në Festivalin e Këngës së  RTSH, ku plot ndjenjë, i kënduan fëmijës së tyre të parë, që pas pak muajsh do të vinte në jetë.

Sot, ata kanë tri fëmijë dhe e duan shumë familjen e tyre. Martesa është e rëndësishme për ta dhe kujdesen për të çdo ditë. Kjo na nxiti për t’u marrë atyre një intervistë të shkurtër në kuadër të Javës së Martesës.

Si e mbani dashurinë të gjallë në martesë? Si investoni në forcimin e martesës në mes të punëve dhe  përgjegjësive të shumta?

Saimiri – Duke kërkuar të mësojmë dhe praktikojmë llojin e dashurisë që rrjedh prej së larti, e cila në çdo rrethanë sy­non vetëm të mirën e bashkëshortit/es. Duke kërkuar për t’u mbushur vetëm me këtë lloj dashurie prej Perëndisë dhe duke e lënë atë të rrjedhë në martesë, pavarësisht nga dështimet tona njerëzore.

Kela – Besojmë se të qenët “një”, është një nga investimet më të rëndësishme në forcimin e martesës. Nuk është një gjë që ti e mëson sapo hyn në martesë. Përkundrazi, me kalimine viteve kupton se gjërat që të ndajnë, janë më tepër sesa kishe menduar në fillim. Duke besuar se Perëndia ka vënë dorën e Tij edhe mbi martesën tonë, mundohemi t’i përkushtohemi nevojave të njëri-tjetrit për kohë, vëmendje, argëtim etj, në mënyrë që të forcojmë të qenët një në martesën tonë.

Çfarë do t’u sugjeronit të rinjve që po nisin rrugën e martesës?

Saimiri – Nuk është aq bukur sa po e imagjinoni! Është më bukur akoma! Është si një vepër arti që nuk mbaron asnjëherë. Ndërsa ajo transformohet, ti vazhdimisht gjen kënaqësinë duke punuar mbi të, edhe pse shumë herë nuk është e lehtë. Vetëm nëse fuqia e Perëndisë do të qëndrojë në krahët, mendjen dhe zemrën tonë, atëherë do t’i gëzohemi martesës në mënyrë të plotë.

 Kela – Martesa është vendi ku ti mëson të duash pa kushte. Vendi ku ti mëson të shërbesh pa kushte. Vendi ku ti mëson përgjegjësitë. Vendi ku kupton se jeta jote ka një mision për fëmijët e tu. Vendi ku sfidohesh më shumë për të mësuar durimin. Dhe padyshim, vendi i vetëm ku lidhja e një burri dhe një gruaje ndihet e sigurt dhe e bekuar nga Perëndia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *